...
Vende Unike
Vende unike piktoreske të Gjirokastrës
  • Pazari i Gjirokastrës me rrugët e tij të kalldrëmta e fasadat e bardha përbën qendrën dhe zemrën e qytetit të vjetër. Atraksioni i parë me të cilin ndeshen vizitorët, mendohet se i përket periudhës osmane edhe pse asgjë nuk ka mbetur nga ajo periudhë. Duke bërë një shëtitje rreth qendrës historike të qytetit, do të eksploroni shumë nga atraksionet kryesore të Gjirokastrës.
  • Kalaja e Gjirokastrës, padyshim është një nga kalatë më madhështore në Shqipëri dhe nga më të mëdhatë në Ballkan, që ofron një panoramë mahnitëse mbi luginë. Kalaja, e cila ka marrë emrin sipas princeshës Argjiro, që refuzoi t'i dorëzohej pushtuesve osmanë duke u hedhur nga muret e kalasë, ngrihet hijerëndë në majë të një kodre duke e bërë atë një vend unik që nuk duhet humbur.
  • Shtëpia e Skëndulajve e ndërtuar në vitin 1705 është një atraksion i përkryer për të mësuar më shumë rreth arkitekturës tradicionale të shtëpive gjirokastrite dhe ndarjen klasore duke u nisur vetëm nga dekori i banesës.
  • Qyteti antik i Antigonesë i cili mban statusin e Parkut Arkeologjik shtrihet në anën lindore të luginës së Drinos dhe mbulon një sipërfaqe prej 45 hektarësh. Sipas historianit të lashtë grek Plutarkut, Antigonea ishte qyteti që u lind nga dashuria dhe u shkatërrua nga urrejtja.

  • Ura e Ali Pashës është dëshmia e përpjekjeve të Ali Pashë Tepelenës për të vënë në punë kompleksin e ujësjellësit në Gjirokastër, i ndërtuar mbi një sistem kanalesh dhe urash madhështore, që për herë të parë do të furnizonin kalanë me ujë nga mali i Sopotit. Edhe sot studiuesit e vizitorët mahniten nga mjeshtëria e ndërtimit të saj. Është një vepër spektakolare, vizita e së cilës ia vlen edhe pse ndodhet larg qendrës së qytetit.
  • Muzeu Etnografik i njohur gjerësisht si shtëpia e fëmijërisë së Enver Hoxhës është shembulli ilustrues se si jetonte klasa e lartë shoqërore e shekullit të 19-të në jug të Shqipërisë. Duket se shtëpia nuk ofron vetëm idenë e fëmijërisë së diktatorit, por të gjithë historinë e Gjirokastrës, një qytet që në shumë mënyra ndikoi në historinë e një shteti të tërë.
  • Shtëpia e Ismail Kadaresë, shkrimtari shqiptar me famë botërore, e cila u kthye në muze 3 vite më parë, është e hapur për publikun dhe është një nga vendet që nuk duhet humbur gjatë vizitës suaj në Gjirokastër.
  • Muzeu i Armëve u hap në vitin 1971 si Muze Kombëtar, duke sjellë armë nga e gjithë Shqipëria, të përdorura gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Ky muze përfshin disa pavione, si Muzeu i Armëve, Muzeu i Gjirokastrës dhe burgu.

Shikoni gjithashtu

Bashkëpunëtorët tanë