...
Si të mbërrini
Si të mbërrini në Gjirokastër

Gjirokastra ndodhet 300 metra mbi nivelin e detit, pranë luginës së Drinosit, në pjesën jugore të Shqipërisë. Gjendet 232 km larg nga kryeqyteti, 31 kilometra nga pika kufitare greke në Kakavi dhe 56 kilometra nga qyteti i Sarandës, porti që lidh Shqipërinë e Jugut me Korfuzin. "Qyteti i gurtë" është lehtësisht i aksesueshëm nga deti, rruga tokësore dhe nga ajri.

Mbërritja në Gjirokastër në rrugë ajërore

Qyteti i Gjirokastrës është i aksesueshëm nga ajri përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, 225 kilometra larg. Turistët shpesh zgjedhin aeroportin e Korfuzit në Greqi, 88 km larg, si rrugën më të shpejtë për të mbërritur në këtë qytet përmes ajrit. Nëse do të zgjidhni këtë aeroport kini parasysh se do të të kaloni një kufi kombëtar dhe një udhëtim me trag. Një mundësi tjetër është që ju të fluturoni për në qytetin grek të Janinës, i cili është 85 kilometra larg, pra 2 orë me makinë, taksi ose autobus nga Gjirokastra.

Mbërritja në Gjirokastër në rrugë tokësore

Në Gjirokastër mund të mbërrihet duke marrë autostradën kryesore nga veriu në jug të Shqipërisë. Nëse vini nga veriu, verilindja, porti i Durrësit dhe gjithë Shqipëria e mesme, ka dy itinerare të mundshme: Tiranë-Durrës-Kavajë-Rrogozhinë-Lushnje-Fier-Ballsh-Tepelenë-Gjirokastër. Udhëtimi nga Tirana në Gjirokastër zgjat afërsisht 3 orë e 30 minuta duke përfshirë ndalesat, ose pak më shumë nëse ka trafik. Dhe si alternativë të dytë mund të merrni rrugën bregdetare përgjatë “Rivierës Shqiptare”: Vlorë-Parku Natyror Kombëtar i Llogarasë dhe më tej përgjatë bregut të Jonit duke kaluar në Dhërmi, Vuno, Himarë, Borsh, Lukovë, derisa të mbërrini në Sarandë. Më pas merret rruga drejt Gjirokastrës. Nëse vini nga Shqipëria Lindore, Maqedonia e Veriut mund të kaloni nga: Elbasani ose Korça: Ersekë- Leskovik- Përmet- Gryka e Këlcyrës, Uji i Ftohtë (Tepelenë)- Gjirokastër. Ky udhëtim do të zgjasë 4 orë ose pak më shumë me autobus. Nga Terminali Rajonal i Autobusëve Veri dhe Jug, i cili është 20 minuta me makinë nga qendra e qytetit të Tiranës, nisen rregullisht autobusë drejt të gjitha qyteteve të Shqipërisë, përfshirë Gjirokastrën. Biletat e autobusit mund të blihen në sportelin e Stacionit të Autobusëve dhe autobusët nisen rregullisht nga Tirana për në Gjirokastër deri në orën 20:30. 
Informacioni i përditësuar në muajin dhjetor 2022
Për më shumë informacione rreth orareve dhe çmimeve mund të klikoni travel.gjirafa.com

Mbërritja në Gjirokastër në rrugë detare

Në Gjirokastër mund të mbërrini në rrugë detare përmes porteve shqiptare të Durrësit, Vlorës ose Sarandës. Nëse mbërrini në Durrës, rruga nacionale ju ofron akses të lehtë në Gjirokastër me makinë, taksi ose autobus. Nëse mbërrini në Vlorë, duhet të udhëtoni në veri për në Levan, dhe më pas të merrni rrugën nacionale në jug për në Gjirokastër. Nëse mbërrini në Sarandë, duhet të kaloni “Qafën e Muzinës” dhe më pas të udhëtoni në veri për në Gjirokastër. Udhëtimi zgjat 1 orë me makinë ose taksi, dhe pak më shumë me autobus.

Shikoni gjithashtu

Bashkëpunëtorët tanë