...
Vende Unike
Kalaja e Gjirokastrës

Kalaja e cila e ka marrë emrin nga  princesha Argjiro, e cila refuzoi t'i dorëzohej pushtuesve osmanë dhe u hodh nga muret e kalasë, ndodhet në majë të një kodre që ofron një panoramë mahnitëse mbi luginë dhe qytetin përreth. Emri i Gjirokastrës dhe i kalasë përmenden për herë të parë në shkrimet bizantine në vitin 1336. Sipas gërmimeve arkeologjike, kalaja daton prej shekujve III ose IV p.e.s. Me një galeri të pasur topash dhe artilerie të rëndë (të mbledhura nga e gjithë Shqipëria kur u mor vendimi për të hapur Muzeun e Armëve në vitin 1971), kalaja i është nënshtruar ndryshime të shumta përgjatë shekujve. 

Monumenti më i lashtë i Gjirokastrës strehon gjithashtu një tjetër atraksion, atë të burgut, ndërtuar në vitin 1932 nga mbreti Zog dhe i përdorur nga regjimet e mëpasshme. Kalaja vazhdoi të funksiononte si një institucion i tillë deri në vitin 1968 dhe tani ka vlerën e një atraksioni kulturor. Çdo pesë vite, në Kala zhvillohet Festivali Folklorik Kombëtar, një ndër eventet më të rëndësishme kulturore në vend, me artistët më në zë të muzikës popullore e jo vetëm.

Bashkëpunëtorët tanë